Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar theksoi sot në Tiranë se Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Bajram Begaj, Musar tha se “zgjedhjet europiane me siguri do të jenë tregues i rëndësishëm i drejtimit se ku do të shkojë Europa”.
“Në dy vitet e para të detyrës sime fokusi ka qenë në Ballkanin Perëndimor. Shkaku është i thjeshtë se Sllovenia beson se vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Jam shumë e kënaqur me fjalët e Charles Michel në Bled vitin e kaluar se BE do të duhet të pranojë deri në vitin 2030 shtetet e këtij rajoni. Për Shqipërinë kjo nuk është e pamundur, kur lexoj rezultatet e vendit tuaj jam shumë e kënaqur”, nënvizoi Musar.
Presidentja sllovene u shpreh se “më kënaq lufta juaj kundër korrupsionit, SPAK-u juaj ka një besim të çmuar. Shpesh them se asnjë shtet nuk është imun ndaj korrupsionit dhe krimit, as shteti im është i tillë dhe besoj se një rrugë e tillë është e njëjtë”.
Musar e vuri theksin në fjalën e saj edhe tek marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
“Rolet bilaterale mes shteteve tona janë të rëndësishme pasi s’kemi çështje të hapura mes shteteve, por të dy jemi të bindur se mund të bëjmë edhe më shumë. Në 2022 shkëmbimet e mallrave arritën në 92 milionë euro, ndërsa në 2023 arritën në 104 milionë dhe këtu ka vend të madh për rritje të mëtejshme të tyre”, tha Musar.
Duke folur për turizmin, Musar tha se “jam e kënaqur me përparimin e Shqipërisë në fushën e turizmit. Këtë vit ju arritët mbi 10 milionë turistë, ndërsa këtë vit besoj se do të keni 14 -16 milionë turistë. Jam e gëzuar që për çdo vit sllovenët vijnë në Shqipëri. Vitin e kaluar ishin më shumë se 20 mijë sllovenë”.
Sipas saj, numri i madh i turistëve sjell edhe përgjegjësi më të madhe.
“Angazhohem për zhvillimin e gjelbër të qëndrueshëm, këtu mund të bëjmë shumë bashkarisht. Sllovenia ka drejtim të tillë dhe mund të mësojmë shumë nga njëri tjetri”, tha Musar.
Presidentja sllovene foli edhe për rezolutën për Srebrenicën që pritet të votohet në OKB pasditen e sotme.
“Para votimit për Srebrenicën, jam shumë e kënaqur që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë bashkuar, përveç Serbisë. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë këto rezoluta edhe për shkak të konflikteve, luftës në Gaza më thyen zemrën dhe shpesh nuk më lë të fle. Ne politikanët duhet të flasim se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë. Nuk dyshoj se udhëheqësit shtetërorë do të gjejnë zgjidhje, pasi shpesh harrojmë civilët që e pësojnë më së shumti në këto luftëra, si në Ukrainë, Gaza dhe Sudan”, tha Musar. /Telegrafi/