Valon Murtezaj, këshilltari për politikë të jashtme i kryeministrit Hoti, ka thënë se takimi që ka ndodhur sot në Pallatin Elysee në Paris mes kryeministrit kosovar Avdullah Hoti dhe presidentit francez Emmanuel Macron ka qenë vizita më e lartë bilaterale në 10 vjetët e fundit.
“Ishte një takim i nivelit më të lartë. Gjithçka e organizuar rreth këtij takimi, përfaqësimi, pritja, ceremonia protokollare, niveli më i lartë ishin prezent – të gjitha këto e kanë bërë që kjo vizitë e kryeministrit Avdullah Hoti të jetë vizita më e lartë bilaterale në 10 vjetë e fundit”, ka thënë Hoti në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Më e rëndësishme është që atmosfera e bisedës ishte shumë e mirë, e ngrohtë dhe miqësore. Ishte takim gjithëpërfshirës që zgjati afërsisht një orë dhe u bisedua në mënyrë shumë të afërt. Presidenti [Emmanuel] Macron ishte shumë i afërt, i hapur dhe i drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet”.
“Kryeministri i Kosovës prezantoi perspektivat, brengat dhe gjithçka që lidhet me Kosovën në fazën që po kalon dhe perspektivën për të ardhmen”.
Por, a shfaqi presidenti francez gatishmëri që të ndërmjetësojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë? A e sheh ai Bashkimin Europian si motorin e këtij procesi?
“Dialogu ishte nga pikat kryesore. Natyrisht që Franca bashkë me Gjermaninë si prijëse të proceseve në Evropë jo vetëm që e kanë shprehur gatishmërinë, por janë thellësisht të përfshira në këtë proces”, tha Murtezaj.
“Samiti i Parisit që do të mbahet më 10 korrik dhe pastaj aktivitete të tjera, u theksua dhe u ritheksua që çështja është si të ecet përpara. Qëndrimi i qartë i kryeministrit të Kosovës është që ky dialog nuk po fillon tani. Ka filluar më parë dhe duhet të marrë kahje kah përmbyllja që rezultati final duhet të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës, përndryshe nuk ka kuptim i gjithë ky proces”.
Është krijuar ideja që është një ‘luftë’ mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian se kush do t’i prijë këtij procesi. A është diskutuar një gjë e tillë me presidentin e Francës?
“Në asnjë moment nuk është folur për ndarje të tilla në politikën ndërkombëtare aktuale mes BE-së dhe SHBA-së. Shihet si një proces ku të gjitha palët duhet të jenë pjesëmarrës. Duhet ta kemi të qartë nga perspektiva e Kosovës që ne edhe si gjeografi, kulturë dhe politikë jemi pjesë e Europës, sepse edhe synojmë të jemi pjesë e familjes europiane. Ndërsa në të njëjtën kohë SHBA-të kanë qenë aleati dhe përkrahësi numër një në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Prandaj, është e pakuptimtë një qasje që do ta bënte këtë ndarje”, tha Murtezaj.