Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka thënë se ka thënë se ka këngëtar që paguajnë vetëm 500 euro për aheng, mirëpo çmimi për një dasmë kushton deri në 10 mijë euro.
Murtezaj gjatë një konference për medie, theksoi se gastronomia është njëri nga sektorët që prodhon rreziqe tatimore.
“Gastronomia është njëri nga sektorët që prodhon rreziqe tatimore, ku në këtë rast kemi përgatitur projektin e veprimit, ku me anë të një kampanje i kemi informuar të gjithë akterët në përputhje me të gjitha deklarimet nga legjislacioni tatimor”, tha Murtezaj, përcjell Telegrafi.
“Me anë të grumbullimit të fakteve kemi ardhur në përfundim se ka shpërputhje të madhe të asaj se çfarë është deklaruar në të kaluarën dhe në atë se cfarë kanë gjetur inspektorët tonë me prezencë fizike”, shtoi ai.
Sipas tij, pas afateve të mos deklarimeve inspektorët e ATK-së do të aplikojnë masa ndëshkuese.
“Kjo mospërputhje duhet të reflektoj në veprimet tonë, ku në të gjitha rastet pas afateve të rregullta, për ata që nuk janë deklarues të TVSH-së, që është afati deri më 20 shtator, apo për muajt paraprak dhe pas përfundimit të këtyre afateve, jemi të detyruar që fillimisht t’i krahasojmë të dhënat dhe për të gjitha rastet që ka nën deklarim, atëherë të fillojnë procedurat e kontrollit dhe inspektorët të aplikojnë masa ndëshkuese. Ligji na obligon që aty ku nuk ka përgjegjshmëri nga ana e tyre, individëve apo bizneseve, atëherë të marrim masa tjera”, theksoi ai.
I pari i ATK-së, përfundoi se përveç mos deklarimeve të sakta të këngëtarëve, ka raste kur këto janë të sakta.
“Ka raste të tilla më evidente, kur një këngëtar që është i konsiderueshëm me emër dhe reputacion në estradën tonë kosovare, ka deklarim 400-500 euro në një aheng, diskotekë apo dasmë, por dihet që informata tjera që i kemi evidente që çmimet e tilla shkojnë nga 7-8 mijë euro e deri në 10 mijë euro. Kjo është diskrepancë, mirëpo ka raste që ka deklarime të sakta”, përfundoi ai. /Telegrafi/