Site icon Telegrafi

Murati: Presidenti në mënyrë indirekte mund t’i përshpejtojë procedurat e negociatave për koalicion mes LVV-së e LDK-së

Njohësi i çështjeve politike, Artan Murati, ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të përshpejtojë procedurat për arritjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Murati në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se nëse Presidenti e thërret seancën konstituive të Kuvendit në një afat të shpejt, pa pasur marrëveshje mes palëve i mandatuari për kryetar të Kuvendit nuk ka siguri që mund të marr shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur.

Sipas tij kjo është arsye përse palët duhet të koncentrohen në marrëveshje e të shmangin problemet potenciale.

“Presidenti Thaçi në mënyrë indirekte mundet me i përshpejtua procedurat e negociatave për koalicion. Psh, e thërret seancën konstituive të Kuvendit në një afat goxha të shpejtë. Afati kushtetues për thirrje të seancës konstituive veç ka filluar. Pa pas marrëveshje mes palëve, nuk ka siguri se i mandatuari për Kryetar të Kuvendit merr shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur në post. Kjo do të sillte implikime interesante politike. Kjo është edhe një arsye përse palët duhet të koncentrohen në marrëveshje e të shmangin këto probleme potenciale”, ka shkruar ai.


Ndryshe sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se nuk do të ketë sot takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lexo po ashtu Mustafa nuk takohet sot me Kurtin

Lideri i LDK-së këto komente i bëri para takimit me kryetarin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. Takimi mes liderit të Vetëvendosjes dhe LDK-së pritej të ndodhte sot, por sipas Mustafës sot nuk do të ketë takim./Telegrafi/

Exit mobile version