Ministri i Financave Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nesër do të dalin mjetet financiare për pensionistët serbë të cilët banojnë në territorin e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Murati përmes një shkrimi në rrjetin social “X”.
“Po ju informoj se pensionistët serbë përmes llogarive bankarenë Kosovë, nesër do të marrin pensionet e tyre nga Thesari i Kosovës, si zakonisht çdo muaj më datë 15”, shkroi Murati.
Në vijim, ministri ka vënë në dukje se këto llogari janë të njëjta për marrjen e pensioneve, si dhe çdo lloj ndihme financiare nga Serbia.
“Këto llogari bankare gjithashtu mund të shfrytëzohen për të përfituar ndihmën financiare që vjen nga Serbia. Megjithatë, ka një tendencë nga Beogradi për të vijuar të kryejë transfere të parave në mënyra jo transparente,” theksoi Murati.
Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb si mjet për pagesë, ka ngritur shqetësimin edhe të ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
O’Brien u shpreh se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.
E lidhur me këtë deklaratë është pyetur sot ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Murati ka thënë se të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri dhe që e mbështesin deri në fund qëllimin e këtij vendimi.
“Duhet theksuar që vendimi është marrë nga BQK-ja në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Ne patjetër që konsultohemi, koordinohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që synon të arrij rregullorja e miratuar e BQK-së. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund”, u shpreh Murati.
Ndërkaq Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar të hënën se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara. /Telegrafi/
Tomorrow all Kosova-Serb pensioners will receive their pension from Kosova’s Treasury into their bank account, as they do every 15th of each month.
Same accounts could be used to receive aid from Serbia.
But Belgrade wants to continue transfers of untraceable cash.
— Hekuran Murati (@HekuranMurati) February 14, 2024