Site icon Telegrafi

Mungesa e punëtorëve në Kosovë, Sogojeva: Shumë kompani kanë filluar të bëjnë kontrata me vende aziatike

Kushtet jo të mira të punës, mungesa sigurimeve shëndetësore dhe pagat e ulëta janë disa nga faktorët që po shtyjnë të rinjtë kosovarë të braktisin Kosovën dhe të punojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Një numër i madh i të rinjve është larguar nga Kosova për gjatë këtyre viteve, ndërsa ekspertët kanë ngritur alarmin se pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave ( 1 janar 2024), Kosova do të përballet me mungesë të madhe të punëtorëve.

Por, me këtë problem kanë filluar të përballen edhe tani disa kompani kosovare, të cilat po detyrohen të marrin punëtorë nga vendet aziatike.

Kryetari i Shoqatës se Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva në një intervistë për Telegrafin ka folur për gjendjen e punëtorëve në vend, ndërsa bëri të ditur se në Kosovë po vijnë punëtorë nga Bangladeshi.

“Në përgjithësi në sektorin e hotelerisë sivjet nuk ka qenë mungesë drastike, disi e kanë kaluar mirë sipas informatave që i kemi, por megjithatë prej 1 janari të vitit të ardhshëm kjo ka më u vërejt por megjithatë një hulumtim ke i kënaqshëm që vetëm 30 % e të rinjve duan të dalin jashtë pas datës 1 janar. Shumë kompani kanë filluar të bëjnë kontrata me vende aziatike, që po sjellin punëtorë prej atje, sidomos nga Bangladeshi”, ka thënë ai.

Kryetari i Shoqatës se Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva

Sogojeva bëri të ditur se kompanitë në bazë të marrëveshjes po sigurojnë edhe banimin e gjëra tjera për punëtorët e huaj që po vijnë të punojnë në Kosovë.

“Marrëveshjet bëhen, pastaj banimi rregullohet në bazë të kontratave,  për ta ambientimi është vështirë sikurse edhe për tonët që kanë shkuar jashtë”.

Sogojeva gjatë intervistës bëri apel që të rinjtë kosovarë të punojnë në Kosovë, pasi sipas tij, as Evropa nuk është parajsë.

“Unë mendoj që edhe rinia duhet të kuptojë që bota nuk është parajsë, Evropa nuk është parajsë, duhet punuar në Kosovë, duhet me dashtë vendin më shumë. Në anën tjetër, Qeveria duhet të ofrojë kushte që mos me pas probleme të zhvendosjes dhe largimeve”.

Sogojeva theksoi se punëtorët e huaj kryesisht kanë filluar punën si kuzhinier.

Në intervistë ai ka folur edhe për turizmin gjatë sezonit veror në Kosovë, mërgimtarët dhe shpenzimet që ata kanë bërë gjatë muajit korrik dhe gusht. /Telegrafi/

Exit mobile version