Mungesa e konsensusit nga ana e spektrit politik në Kosovë, rreth çështjeve si dialogu i Kosovës me Serbinë, rrezikojnë ta thellojnë edhe më tepër krizën politike në vend.
Kështu ka theksuar Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Ajo më tutje ka thënë për Telegrafin se seanca parlamentare e së martës, sipas saj, më së miri ka treguar se kemi të bëjmë më një skenë politike të fragmentarizuar.
“Partitë nuk po arrijnë ta gjejnë një konsensus se çfarë qasje të ketë ne dialogun Kosovë – Serbi. Edhe sot e pamë që ka ndryshime në mes partive politike, madje edhe atyre që janë brenda koalicionit. Derisa AAK dhe Haradinaj janë kundër ndryshimit të kufijve, PDK ka deklaruar që janë të gatshëm të flasin edhe për integritetin territorial të Kosovës, duke e përfshirë skenarin për Luginën e Preshevës”, ka shtuar Krasniqi.
Sipas saj, ky pozicion jo unik e dëmton Kosovën në dialogun me Serbinë dhe në rrafshin e brendshëm.
“Në ditët dhe në muajt në vazhdim mund të shohim thellim të krizës politike dhe në sferat tjera shoqërore. Nëse vazhdon me këtë qasje jo unik mund të ketë përsëritje të skenarëve, si rasti i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, sepse po i bëjmë të njëjtat sende”, ka shtuar Krasniqi.
Ndryshe, ndonëse me vonesë ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të votohej për ekipin negociator që do ta përfaqësonte Kosovën në dialogun me Serbinë, ajo u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në Kuvend.
Opozita ka kundërshtuar këtë ekip, duke thënë se ky ekip është krijuar për t’i shërbyer presidentit Thaçi. /Telegrafi/