Sipas hulumtimeve të reja, mungesa e gjumit dhe bulizmi në internet kanë ndikim më të madh në shëndetin mendor të të tinejxherëve sesa përdorimi i rrjeteve sociale.
Shkencëtarët anglezë kanë zbuluar një lidhje mes adoleshentëve që i kontrollojnë rrjetet sociale mbi tri herë në ditë dhe ndjenjave të stresit psikologjik, transmeton Telegrafi.
Sidoqoftë, ata tani besojnë se ky reagim negativ nuk është rezultat direkt i përdorimit të rrjeteve sociale.
Hulumtuesit thonë se problemet e shëndetit mendor te tinejxherët mund të vijnë si pasojë e bulizmit apo ngacmimit në internet dhe se përdorimi i rrjeteve sociale mund të jetë duke i zëvendësuar aktivitetet tjera, siç është gjumi apo ushtrimet fizike.
Autorët e studimit iu kanë sugjeruar prindërve t’i monitorojnë fëmijët me kë flasin në internet në të njëjtën mënyrë sikurse do ta kontrollonin fëmijën se me cilët shokë/shoqe është duke luajtur në shtëpi.
Vlen të ceket se ky studim është publikuar në revistën “The Lancet Child & Adoleschent Health” dhe i ka analizuar të dhënat e pothuajse 10,000 fëmijëve. /Telegrafi/