Ragmi Mustafi – kryetar i organit të përkohshëm të Këshillit Kombëtar Shqiptar gjatë intervistës së tij në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com ka folur për deklaratat e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill karshi politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës si dhe për zgjedhjet e brendshme të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Mustafi përmes video-lidhjes me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka treguar se kërkesat e tyre, ambasadori Hill ju ka thënë se do t’i diskutojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me kryeministren Ana Brnabiq.
“Të gjitha këto kërkesa tuaja ai tha se do t’i diskutoj me presidentin Vuçiq dhe kryeministren Brnabiq, e cila është po e njëjta qasje që ka qenë edhe e ambasadorit Jaan Brathu, ambasadorit të OSBE-së… Pra besoj që duhet të ridinamizohet çështja e Luginës së Preshevës në raport të përfaqësuesve institucional të Luginës me qeverinë e Serbisë, dhe në anën tjetër mbetet përkushtimi sepse nuk ka përfunduar asgjë me Ohrin, madje konsideroj që janë vendosur standarde që duhet të jenë të vlefshme në rajon sepse konsiderojmë që vetëm standardet unike që mund të përdoren në Ballkanin Perëndimor mund të krijojnë hapësirë për paqe, stabilitet e prosperitet”, ka thënë Mustafi.
Po ashtu sipas tij, deklaratat e ambasadorit Hill duhet parë “në dritën e misionit të tij, që është shkëputja e Serbisë nga ndikimi rus”.
“Letra e kongresistëve drejtuar sekretarit Blinken është hap shumë i madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Për herë të parë Kongresi ka bërë lëvizje, një lëvizje në drejtim të respektimit të reciprocitetit, barazisë dhe gjithpërfshirjes e që janë parime mbi të cilat mund të ndërtohen marrëdhëniet qenësore mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.
I pyetur se kur pritet të finalizohet çështja e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ai tha: “E rëndësishme është që mos të plotësohen kushtet ligjore që Këshilli Kombëtar të shuhet, sepse kjo është një mundësi që mund të ndodh. Dhe në këtë kolaps politik, e në këtë krizë politike e ka futur Shqiprim Arifi, Nagip Arifi e Shqiprim Musliu me një qasje infantile, politike duke e konsideruar që sa më pak institucione e mekanizma, nënkupton më shumë fonde për ta. Por kjo nuk do të ndodh. Unë e kuptoj xhelozinë e tyre por nuk mund të ndjekim një politik pa vizion, pa qëllim që nuk ka prodhuar rezultate konkrete. 451 shqiptarë janë angazhuar mes këtyre fondeve në të gjitha organizatat joqeveritare, në 78 projekte diku indirekt do të preken rreth 2 mijë qytetarë të Luginës së Preshevës…”.
Por, sa i përket kallëzimit penal që ka bërë kryetari i Komunës së Preshevës në Prokurorinë e Kosovës për dyshimet për keqmenaxhim të fondeve, Mustafi u shpreh: “Nuk është hera e parë e tij. Jam përball disa herë me prokurorit në Serbi dhe përballem edhe më tej. Përballem edhe për shkaqe të ngritjes së flamurit e jam dënuar, e në dy padi ende jam në gjykim e sipër..jam përball gjithashtu edhe në pretendime të tilla nga prokuroria. Jam shumë i gatshëm, në momentin që prokuroria të më bëj ftesë, unë do të jem në dispozicion plotësisht për këtë.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve të brendshme të Këshillit Kombëtar Shqiptar ai potencoi se shpreson që do të gjendet një konsensus në përbërjen e re të këtij Këshilli.
“Sa i përket Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, konsiderojë që është një mekanizëm, instrument i dobishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës për ruajtjen e substancës kombëtare dhe për kultivimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në Luginë. Besoj që kam bërë shumë në këtë mandat katër vjeçar duke zgjidh problematikat që kanë qenë për më shumë se dy dekada…”, ka thënë Mustafi duke shtuar se “Më 7 maj do të mbahet dhe Kuvendi, me një proces shumë kompleks për shqiptarët e Luginës, do të arrijmë të gjejmë një konsensus për të zgjedhur përbërjen e re të Këshillit Kombëtar shqiptar si instrument i cili do t’i shërbej edhe më tej shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, gjatë kësaj jave ka vizituar Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësuesit politikë shqiptarë si dhe është njoftuar nga afër me sfidat e shqiptarëve në Serbi. /Telegrafi/