Site icon Telegrafi

A mund të ketë ndjekje penale për zyrtarët shtetërorë të Serbisë për sulmin në Banjskë, Kryeprokurori: Nuk mund të flasim më shumë

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë.

Në mesin e personave që është ngritur aktakuzë është edhe Milan Radoiçiqi, i cili njëherësh ishte edhe nënkryetar i Listës serbe si dhe i afërt me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

E në lidhje me këtë, liderët e pushtetit vendor kanë akuzuar Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për lidhje direkte lidhur me sulmin terrorist në Banjskë.

Por, a mund të ketë ndjekje penale edhe për zyrtarë shtetëror të Serbisë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë?  

Lidhur me këtë, kryeprokurori Blerim Isufaj u pyet nga gazetarët, por nuk u përgjigj.

Ai tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të flasin më shumë.

“Kemi pas shumë kërkesa dhe interesim të madh për këtë rast. Dolëm para jush me thënë atë që mundemi ta themi për këtë fazë të procedurës. Na lejoni të ju themi se e kemi parasysh dhe prezumimin e pafajësisë, nuk guxojmë të flasim kurrgjë më tepër.

E tha dhe prokurori i çështjes, mendoj që aktakuza është punuar mirë dhe në mënyrë profesionale dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha. Po shpresojmë që e kemi bërë punën më të mirë dhe që e kemi ditë”, ka thënë Isufaj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version