Ish-kapiteni i Rusisë, Igor Denisov, e ka kritikuar sulmin e vendit të tij ndaj Ukrainës, ndërkohë që ka pranuar se deklarata e tij mund t’ia rrezikojë jetën.
38-vjeçari e ka quajtur një katastrofë agresionin në komentet nga të cilat rrezikon burgim deri në 15 vjet sipas legjislacionit të sapo miratuar që i ndalon qytetarët ta denoncojnë konfliktin.
Denisov, i cili ishte i hapur gjatë gjithë karrierës së tij si lojtar, thotë se dëshiron të flasë të vërtetën për tmerrin e plotë të shkaktuar në Ukrainë.
“Këto ngjarje janë një katastrofë. Krejtësisht horror. Nuk e di, ndoshta do të më burgosin ose do të më vrasin për këto fjalë, por po flas ashtu siç është”, ka deklaruar Denisov për Nobel.
Ish-futbollisti i Zenitit ka thënë se në këto momente nuk ndjen krenari për kombin e tij dhe se i ka shkruar presidentit Vladimir Putin duke i kërkuar ndalimin e luftës, e cila po vazhdon që nga fundi i shkurtit.
Denisov ishte një figurë kyçe për Rusinë nga viti 2008 deri në vitin 2016, kur regjistroi 54 paraqitje, duke përfshirë edhe një periudhë si kapiten. /Telegrafi/