Falë Nuseir Yassin-it, personit që e menaxhon faqen ‘NasDaily’, së fundmi shqiptarët dhe Shqipëria kanë marrë vëmendje nga miliona njerëz anë e mbanë botës.
Në videot njëminutëshe ditore që i poston ai, nuk ka hezituar ta promovojë Shqipërinë për tolerancën fetare, Besën e shqiptarit, e madje edhe për çmimet e lira të kafeve, shkruan Telegrafi.
Sot ai ka publikuar një video tjetër ku flet për një familje shqiptare e cila jeton në vise të thella malore dhe që mund ta shndërrojë çdo gjeth në instrument muzikor.
“Për qindra vjet, kjo është familja e vetme shqiptare që mund ta bëjë këtë. Çdo ditë shohim pemë me miliona gjethe dhe nuk mendojmë asgjë për to, por kjo familje që jeton në një fshat të rrethuar nga natyra, i kanë shndërruar gjërat që i rrethojnë në miliarda instrumente muzikore”, thotë Nas.
Përndryshe, sa i përket videove të vlogerit për Shqipërinë, më së shumti ka rënë në sy komentet ku turistët shfaqin interesim të madh për ta vizituar Shqipërinë. /Telegrafi/