Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ka folur për përgatitjet e fundit që po bëhen për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në Pejë.
“Ftesat janë ndarë, më 17 shkurt në përurimin e shtatores së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në Pejë na bashkohen edhe përfaqësues të lartë të dy qyteteve, një prej Hungarisë dhe një prej Italisë me të cilët jemi të vëllazëruar, pra vjen Kryetarja dhe nënkryetari i Egerit dhe Kryetarja e Kozencës. Pra do ta rrisim këtë eveniment dhe ata do ta shohin se si festojmë 16 vjetorin e Pavarësisë’, tha Muhaxheri.
Tutje Muhaxheri ka folur për idenë e ardhjes së shtatores së Rugovës në Pejë si dhe për figurën e tij.
“Është vendim i Asamblesë komunale i vitit 2022, për ndarjen e buxhetit për ndërtimin e shtatores së presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe duke e parë që vitet po kalojnë, vizioni i tij po del të ketë qenë i qartë, i qëlluar dhe frymues për komplet sferën shqiptare në luftë për Pavarësi, Demokraci dhe Barazi, e që një pjesë e tyre janë arritur, pavarësia është arritur, demokracia ka ende për tu ndërtuar, dhe normal besojmë që subjektet politike në të ardhmen do të kontribuojnë edhe më tepër që kjo demokraci të fuqizohet”, deklaroi Muhaxheri në ‘RADIO 1’.
Kryetari Muhaxheri mes tjerash ka përgëzuar edhe skulptorin Gim Muriqi për punën që e ka bërë.
‘Skulptori që e ka punuar është i mirë, i ri dhe e ka dëshmuar vetën që punon mirë’, shtoi Muhaxheri.
Kreu i komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ka shpalosur edhe të arriturat e qeverisjes së tij si dhe planet për vitin 2024, e në mesin e të cilave edhe për grantin e performancës ku Peja ka fituar rreth 1 milion e 800 mijë euro, kjo në bazë të performancës së mirë.
Muhaxheri ka treguar se në të ardhmen Pejës do ti shtohen edhe dy Ura për automjete e të cilat do të mundësojnë që Ura aktuale e zallit, të mbetet vetëm për këmbësorë.