Është krijuar një koalicion prej 11 vendeve për të trajnuar pilotët ukrainas që të drejtojnë aeroplanët luftarakë F-16 – dhe puna do të fillojë muajin e ardhshëm.
Zyrtarët thanë se pilotët do të fillojnë në muajin gusht stërvitjen e avancuar në Danimarkë, ndërsa një qendër trajnimi do të krijohet gjithashtu në Rumani, raporton skynews.
Ministri në detyrë i mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen u tha gazetarëve në samitin e NATO-s në Vilnius se shpresonte të shihte rezultate “në fillim të vitit të ardhshëm”.
Ukraina ka kërkuar prej kohësh aeroplanë luftarakë F-16 për të forcuar kundërsulmin e saj kundër Rusisë – por asnjë vend nuk është zotuar të dërgojë aeroplanët në Kiev.
Ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov tha se ai ishte “veçanërisht mirënjohës” ndaj Danimarkës dhe Holandës, të cilat kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të trajnuar pilotët.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë licencën e prodhimit, për momentin janë kundër dërgimit të aeroplanëve pasi që ukrainasit po furnizohen me armatime të tjera moderne në luftën kundër Rusisë. /Telegrafi/