Nëpër lokalet e kryeqytetit të Kosovës, në ditët e para të Ramazanit është vërejtur një ndryshim sa i përket numrit të klientëve.
Rënien e klientelës e potencon edhe pronari i ëmbëltores ‘Elita’, Gaferr Mustafi.
“Po, ka ndryshim. Ka më pak klientë në kohën e Ramazanit e kjo ndikon edhe tek biznesi jonë. Njerëzit dalin më pak dhe më pak konsumojnë ushqim. Unë edhe vet agjëroj”, tha ai për Telegrafin.
Sipas tij, kjo gjë është shumë normale, sepse shumica e popullatës i takojnë besimit islam.
Një tjetër lokal, “One Way”, pronar i së cilës është Ideal Vula, tha se rënia e klientelës është vërejtur më shumë ditën e parë.
“Kemi rënie të punës, dukshëm më shumë”, ka thënë ai, duke shtuar se gjatë muajit të Ramazanit ata do të shërbejnë kafe edhe pas orës 20:00. “Njerëzit agjërojnë dhe normalisht pas iftarit ata kanë nevojë për një kafe, gjë që të cilën në muajt e vitit nuk e aplikojmë, por vetëm në muajin e Ramazanit”.
Edhe Labinot Avdiu, menaxher i lokalit “Trosha”, pranon se dallimi në numrin e mysafirëve është vërejtur që në ditën e parë të Ramazanit.
“Nuk ka pasë shumë qarkullim”, tregon ai, duke shtuar se njëjtë mund të mos jetë gjatë gjithë Ramazanit. “ Tek ne shumë njerëz e agjërojnë ditën e parë, të mesmen dhe të fundit. Dita e dytë dhe e tretë është ditë e zakonshme dhe s’e kemi vërejtur shumë rënien e klientëve”.
Lokalet e Prishtinës, dikush më pak e dikush më shumë, do të bëjnë edhe oferta sa I përket muajit të Ramazanit. Kjo vlen edhe për “Troshën”.
“Do të sjellim ofertë për iftar, sepse te ne me pak pare hahet shumë”, përfundoi Avdiu. /Telegrafi/