Ministria e Shëndetësisë ka bërë përzgjedhjen e 85 inspektorëve sanitarë, të cilët do të ndihmojnë në mbikëqyrjen dhe kontrollimin e zbatimit të masave antiCOVID-19, të cilët janë thirrur për të nënshkruar kontratën pa përfunduar afati i ankesave prej 3 ditësh.
Për përzgjedhjen e këtyre inspektorëve në adresë të Telegrafit kanë shprehur shqetësimin e tyre dy aplikantë njëherit ish- inspektorë.
Duke dashur të mbesin anonim shkaku i ankesës që kanë paraqitur në Ministrinë e Shëndetësisë, ata thanë për Telegrafin se inspektorët e përzgjedhur janë krejtësisht të rinj, dhe se shumë nga ta nuk kanë përvojë pune, e cila ka qenë njëra prej kritereve në konkurs.
Në lidhje me këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të gjitha ankesat nga kandidatët do të shqyrtohen.
“85 inspektorët që ka dal lista dje, janë thirrur sot për të nënshkruar kontratën, institucioni i ankesës nuk do të anashkalohet. Secila ankesë do të merret parasysh që këto probleme të mos përsëriten. Ka qenë një volum i madh, kanë qenë mbi 600 aplikime dhe ka pakënaqësi ku mbi 500 persona nuk janë pranuar. Komisioni i ankesave janë duke i shqyrtuar dhe të jeni të bindur se secila ankesë do të ketë përgjigje meritore në bazë të ligjit”, tha Vitia. /Telegrafi/