Telegrafi

Mrekullia Torino, me dhjetë lojtarë fiton ndaj Milanit në vazhdime

Torino ka eliminuar Milanin me rezultat 1-0, me golin e shënuar në kohën shtesë, për ta eliminuar nga Kupa e Italisë.

Pjesa e parë nuk solli shumë me raste, me të dy skuadrat që kishin nga një mundësi të mirë për të shënuar.

Sasa Lukic provoi për Torinon, ndërsa Charles de Katelaere tentoi për Milanin.

Torino në minutën e 70-të mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, me Koffi Djidji që u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve.

Milani kishte rast për të marr epërsinë në minutën e 84-të, me Sergino Dest, por ai gjuajti jashtë.

Rast të mirë kishte edhe Theo Hernandez në kohën shtesë të kohës së rregullt, por gjuajtja e tij u prit nga portieri.

Në vazhdimin e parë Milani sërish kishte rast të mirë me Olivier Giroud, por francezi nuk arriti të gjejë rrjetën.

Kur pritej që Milani të shënonte, Torino në anën tjetër konkretizoi një kundërsulm.

Zhvillohej minuta e 114-të, kur Brian Jephte Bayeye pasoi bukur në zonë për Michel Adopo që shënoi për 1-0.

Milani provoi por nuk ia arriti ta dërgojë ndeshjen në penallti, me Torinon që kaloi në çerekfinale të Kupës së Italisë. /Telegrafi/