Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se kriminelët në veri të cilët kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, do të identifikohen dhe ballafaqohen me drejtësinë.
Pasi u sulmuan policë, e u dëmtuan vetura të këtij institucioni, MPB ka deklaruar se veprime të tilla janë të papranueshme.
Siç ka shkruar MPB, sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar dy herë radhazi në Zveçan nga grupe të maskuara kriminale.
“Në të dy rastet, nga të cilat janë dëmtuar 2 automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak. Përkundrazi, ka vigjilencë të shtuar të Policisë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar çdo eskalim të mundshëm”, ka shkruar MPB.
MPB ka shkruar se këto grupe huliganësh po dëshmojnë se janë të orkestruara nga Beogradi.
“Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë. Sulmet e tyre po rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve në veri të vendit. Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi”, ka deklaruar Ministria e Brendshme.