Manchester Unitedi ka shënjestruar dy sulmuesit e njohur nga Liga Premier, Jamie Vardy dhe Javier Hernandez i njohur si Chicharito për ta transferuar njërin në afatin kalimtar të janarit.
Djajtë e Kuq janë në kërkim të përforcimit të reja në skuadër dhe ky nuk është më një sekret.
Trajneri portugez, Jose Mourinho ka kërkuar nga drejtuesit e klubit emra të rinj për të vazhduar të jenë konkurrues në garat ku ata marrin pjesë.
Gjatë muajit dhjetor, por edhe tani me hapjen e afatit kalimtar të janarit janë përmendur shumë emra si përforcime të mundshme të Unitedi.
Megjithatë, tani mediat angleze kanë përmendur dy emra të rinj në listën e Mourinhos, të cilët luajnë në fazën e sulmit.
Sipas mediumit britanik The Telegraph, skuadra nga OldTrafford, përveç Alexis Sanchezit ka shënjestruar edhe Vardyn e Leicester Cityt dhe Chichariton e West Hamit.
Vardy raportohet se është një opsion i shtrenjtë për Djajtë e Kuq, pasi sipas këtij mediumi “Dhelprat” nuk lëkunden nga 35 milionë funtet e kërkuara për të.
Megjithatë, as rikthimi i ish-sulmuesit të tyre Chicharito nuk do të ishte i lirë, pasi në verë skuadra londineze, West Ham, ka paguar hiç më pak se 17 milionë funte dhe do donte t’i kompensonte ato. /Telegrafi/