Site icon Telegrafi

Mospërputhja e agjendës, Osmani nuk takohet me Lajçakun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do të takohet sot me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për shkak të mospërputhjes së agjendës të paracaktuar nga e para e vendit.

Këtë e bëri të ditur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, tha ai.

Lajçak gjatë ditës do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi.

Lajçak viziton Kosovën një ditë pas një takimi në Athinë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Pas takimit me zyrtarin serb, Lajçak ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se me Vuçeviqin ka biseduar për situatën e dialogut me Kosovën dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, por diçka e tillë nuk do të ndodhë derisa të emërohet një zyrtar i ri në pozitën që ai aktualisht mban.

Vizita e Lajçakut në Kosovë, është vazhdimësi e përpjekjeve të tij për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane.

Exit mobile version