Telegrafi

Dështon takimi i Haradinajt me presidenten, AAK thotë se Osmani nuk respektoi orarin

Takimi i paraparë midis presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ku do të diskutohej për zhvillimet e fundit në vend dhe për draft Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është mbajtur, kjo pasi e para e shtetit nuk e ka respektuar orarin e përcaktuar.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, konfirmoi se pavarësisht gatishmërisë së tyre për dialog, takimi i planifikuar për të hënën nuk u mbajt për shkak të zgjatjes së një takimi të mëparshëm të Presidentes Osmani me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Tutje Xhemaili theksoi se: “E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit”.

Lexo po ashtu Kryetari i PDK-së refuzon takimin me Osmanin për të diskutuar për draft - statutin e Asociacionit

Si rezultat, Haradinaj u detyrua të largohet nga presidenca pasi presidentja nuk arriti të respektojë orarin e caktuar.

“Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në presidencë në orarin e përcaktuar nga Osmani, por fatkeqësisht presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, tha Xhemaili.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku të hënën zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani falënderoi të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi nuk i shkoj në takim të parës së shtetit. /Telegrafi/