Përplasjet dhe mospajtimet me deklarata ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij shqiptar Edi Rama për iniciativën ballkanike e quajtur së fundi “Open Ballkan” ka bërë që shumë qytetarë, opinionistë e njerëz të tjerë t’i shohin si përplasje që nuk i sjellin mirë asnjërit vend.
Edhe deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama gjatë konferencës me kancelaren gjermane Angela Merkel e pastaj edhe deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për media po vlerësohen në mënyra të ndryshme në Kosovë e Shqipëri.
Gjatë konferencës me kancelaren Merkel, kryeministri Rama mes tjerash tha se Kosova po bazohet në teori konspirative për “Open Ballkan”, por kryeministri Kurti deklaroi se nuk dinë për çfarë konspiracioni po flet ai.
E në lidhje me një mosmarrëveshje të tillë, qytetarët e së Kosovës kanë mendime të ndryshme duke thënë se Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama duhet të jetë më afër Kosovës se dikujt tjetër.
“Mos pajtimi i tyre nuk është në interes të kombit shqiptarë së pari e pastaj as në interes të dy vendeve, nuk e kuptoj këtë përçarje, e kush ka të drejtë aty po duket që kryeministri i jonë ka të drejtë, unë nuk po e kuptoj kryeministrin e Shqipërisë për dashurinë e tij ndaj shtetit serb”, tha Jakup Jonuzi.
E përkundër kësaj ata gjithashtu e potencojnë se dy shtetet duhet të afrohen në mes vete, e jo të bëjnë veprime të cilat i largojnë.
“Këta duhet të fillojnë të afrohen me njëri -tjetrin sepse nuk është mirë të mbahen këso distanca dhe inate mes vete”, tha Ardian Kllokoqi.
Por ka edhe prej atyre që mendojnë që këto gjëra me shumë mundësi krerët e dy shteteve po i bëjnë më shumë si skena sesa që mund të ketë gjasa që të kenë mosmarrëveshje të vërteta.
“Nuk ma merr mendja këta vetëm bëjnë kështu se nuk ma merr mendja që Kurti me Ramën kanë diçka ata, këto dy shtete duhet të kenë marrëdhënie të mira mos me kanë armiq”, përfundoi Nazmi Gashi. /Telegrafi/