Grupi mercenar rus Wagner i ka bërë thirrje të gjithë të rinjve nga mosha 21 deri në 35-vjeç me përvojë në “gejming” që t’ju bashkohen si ekspertë për fluturake pa pilot – derisa mëtojnë të zgjerojnë paletën e rekrutimit si pasojë e humbjeve të mëdha që i kanë pësuar në luftë në Ukrainë.
Kështu të paktën thuhet në raportin më të fundit për luftën në Ukrainë nga Instituti për Studimin e Luftës ndryshe i njohur si ISË, transmeton Telegrafi.
Rekrutët e grupit postojnë mesazhe në platformat e mediave sociale, tha grupi i ekspertëve, duke cituar gazetën opozitare ruse Verstka, e cila raportoi se rekrutët nuk kanë nevojë për përvojë të mëparshme.
ISW vuri në dukje gjithashtu një audio përgjim të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës së Ukrainës (GUR), në të cilën një ushtar rus diskuton një fushatë të re rekrutimi të Wagner të nisur për shkak të humbjeve të mëdha në fushëbetejë.
“Fushata e re e rekrutimit të Wagner supozohet se kërkon trajnime me instruktorë të përgatitur mirë, sigurim shëndetësor, pajisje moderne dhe garanton që të gjithë rekrutët do të marrin të gjitha pagat e premtuara”, shkroi ISË. /Telegrafi/