Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar para gazetarëve, se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, pasi nuk e sheh këtë si kërcënim për sigurinë e saj.
“Kjo është e drejta sovrane e çdo vendi. Ne po flasim për proceset integruese dhe ekonomike, dhe këtu, natyrisht, askush nuk mund t’i diktojë asgjë asnjë vendi. Ne nuk do ta bëjmë këtë” tha Peskov, transmeton Telegrafi.
“Por qëndrimi ynë për çështjet që lidhen me sigurinë, mbrojtjen apo aleancat ushtarake është krejtësisht i ndryshëm. Ka një çështje tjetër dhe është e njohur për të gjithë”, shtoi zëdhënësi i Kremlinit.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka më shumë informacion për një takim të mundshëm Trump-Putin, por bisedimet e sotme mund të japin sqarime të mëtejshme.
Kremlini thotë se Vladimir Putin është i përgatitur të bisedojë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky “nëse është e nevojshme”.
“Vetë Putin tha se do të ishte i gatshëm të negocionte me Zelenskyn nëse ishte e nevojshme. Por baza ligjore e marrëveshjeve ka nevojë për diskutim duke marrë parasysh realitetin se legjitimiteti i Zelensky mund të vihet në dyshim”, shtoi Peskov. /Telegrafi/