Telegrafi

Mori tufat me euro dhe një monedhë floriri për mbesën, zbardhet skema se si Çopjat korruptuan gjyqtaren

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme SPAK për grupin kriminal Çopja zbuluan edhe lidhjet e bandës në sistemin e drejtësisë. Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu akuzohet se mori rryshfet 11 mijë euro dhe një monedhë floriri. Kërkoi nga grupi kriminal t’i blihej dhe një celular.

Krahas penetrimit në rradhët e policisë, grupi kriminal Çopja kishin të besuarit e tyre edhe në rradhët e sistemit të drejtësisë.

Bëhet fjalë për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu e cila në kuadër të kësaj dosjeje të SPAK, akuzohet për korrupsion dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve të SPAK dhe komunikimeve të zbardhura në aplikacionin SKY ECC, Euronews Albania meson ka rezultuar se funksionarja e drejtësisë, e cila dha dorëheqjen nga detyra në prag të vetingut, ka mbajtur kontakte me anëtarët e grupit Çopja përmes shtetasit Arzen Mama me të cilin gjyqtarja ka patur lidhje miqësore. Në biseda anëtarët e grupit Çopja i referohen gjyqtares me nofkën “komshija”

Këto njohje, Arzen Mama i ka shfrytëzuar, për të marrë prej ish gjyqtares Pajtime Fetahu, të dhëna e informacione lidhur me dosjet që ajo ka patur në hetim e gjykim ku si rezultat të hetuarit Qosja dhe Mama, i kanë dhënë shtetases Pajtime Fetahu, përfitime të parregullta.

Krahas informacionit që i ka përcjellë grupit Çopja për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” për kundërshtarin e tyre Erion Alibej më 18 shtator të vitit 2020 para se të ekzekutohej vendimi, gjyqtares i është kërkuar nga shtetasi Mikael Qosja nëpërmjet shtetasit Arzen Mama që ajo të ndikojë dhe të ndihmojë në lehtësimin e pozitës proceduriale të anëtarëve të grupit Çopja konkretisht shtetasve Ervis Daka dhe Altin Kamami.

Sipas SPAK është evidentuar në të paktën dy raste gjyqtarja Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja) nëpërmjet shtetasit Arzen Mama shuma monetare si përfitim i padrejtë, 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhe floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur.

Gjithashtu Euronews Albania mëson sipas dosjes dhe akuzës së ngritur nga SPAK se shtetasja Pajtime Fetahu i ka kërkuar shtetasit Arzen Mama që t’i blejë një aparat telefonik celular.

Pak javë më parë para gjykatës së posaçme ish-gjyqtarja mohoi akuzat dhe e prekur deklaroi se nuk ka dijeni për atë që e akuzojnë ndërsa për mediat nuk dha asnjë prononcim. /Telegrafi/