Site icon Telegrafi

Mori pjesë në takim me Vuçiqin, Haxhiu: Suspendimi i gjyqtares Stevanoviq është vendim i drejtë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendim nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq është vendim i drejtë.

Ministrja Haxhiu në emisionin “Përballje”, ka thënë se veprimet e kryetares Stevanoviq kanë qenë të paprecedentë, duke marrë kështu pjesë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur një sërë zhvillimesh dhe specifikisht pas veprimeve të paprecedentë të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që janë në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me detyrat e saj si kryetare e Gjykatës në Mitrovicë. Po ashtu në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, d.m.th pjesëmarrja e një gjyqtari apo kryetares së Gjykatës Themelore në një takim të një shteti tjetër. Madje në një takim të Këshillit të Sigurimit që kishte thirrur Vuçiq, pra është e pazakontë që një përfaqësues i Kosovës gjerësisht kryetar i Gjykatës së Kosovës që paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës të merr pjesë në një takim të tillë”, thotë ajo.

Lexo po ashtu KGJK: Vendimi për suspendimin e gjyqtares Stevanoviq nuk është i ndikuar politikisht
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë emisionit “Përballje” në Telegrafi.com

Në emision, ministrja ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës për një periudhë të shkurtë kohore ka marrë disa vendime për gjyqtarë, dhe se nuk mund të mos veprojë kur bëhet fjalë për një serbe.

“Kosova është shtet demokratik. Suspendimi është vendim i drejtë dhe natyrisht që besoj në rrethana kur Këshilli Gjyqësor ka suspenduar disa gjyqtar në kohë të shkurtë, nuk mund të mos veprojnë kur bëhet fjalë për një serb. Prandaj, e vlerësoj vendimin dhe i mbetet Këshilli Gjyqësorë për hapa të mëtutjeshëm”, theksoi ajo.

Lexo po ashtu Mori pjesë në takim me Vuçiqin, suspendohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

KGJK përmes një komunikate për media ka njoftuar se vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik.

Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version