Telegrafi

Moratt: Serie A u manipulua dhe Interi u vodh

Ish-presidenti legjendar i Interit, Massimo Moratti këmbëngul se Seria A ‘u manipulua’ me skandalin Calciopoli dhe Nerazzurrët ‘u vodhën’.

Nerazzurrët fituan titullin e sezonit 2005/06 pasi Juventusi ra në Serie B dhe iu hoqën dy Scudettot e fundit të fituara nën Fabio Capellob për shkak të skandalit të njohur Calciopoli.

Debati në Itali është ende i hapur, por Moratti është krenar që titulli i vitit 2006 iu takon atyre, pas rënies së Juventusit nga kategoria.

“Absolutisht, e di që tifozët e Juventusit nuk do ta pëlqejnë, por kjo më bën të insistoj. Ai titull ishte minimumi që mund të merrnim pasi na vodhën. Duhet të kishim marrë edhe më shumë”, ka thënë fillimisht Moratti për Il Corriere Della Sera.

Ish-pronari i Interit konfirmoi gjithashtu se ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, një nga ata që janë përgjegjës për skandalin Calciopoli, donte të bashkohej me Nerazzurrët.

“Është e vërtetë dhe ndonëse kurrë nuk i thashë në mënyrë eksplicite se nuk e doja, nuk do ta punësoja kurrë. Seria A u manipulua dhe ne ishim viktima”.

“Juventusi u parazgjodh të fitonte dhe nëse nuk ishin ata, atëherë radha ishte e Milanit. Ishte e turpshme sepse forma më e madhe e pandershmërisë është mashtrimi i ndjenjave të njerëzve”, përfundoi ish-presidenti i Interit.

 

Moratti është presidenti më fitues në historinë e Nerazzurrëve. Interi fitoi pesë tituj të Serie A, nga katër Kupa dhe Superkupa të Italisë, një Kupë UEFA, një Ligë të Kampionëve dhe një Kupë të Botës për klube gjatë presidencës së tij.

Ai ia shiti klubin biznesmenit indonezian Erick Thohir në vitin 2013 përpara se Suning Group të merrte drejtimin tre vjet më vonë. /Telegrafi/