Berat Gjimshiti vazhdon të mbetet objektivi kryesor i skuadrës italiane Monza për repartin defensivë.
Qendërmbrojtësi shqiptar është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Atalantës në vitet e fundit, por këtë edicion pësoi një lëndim dhe mbeti për një kohë jashtë fushave, duke humbur vendin e titullarit.
Monza po e dëshiron me çdo kusht mbrojtësin shqiptar dhe për këtë ka bërë ofertë konkrete në drejtim të Atalantës.
Skuadra e ngjitur këtë edicion në Serie A ka kërkuar huazimin e shqiptarit me detyrim blerje, por me një kusht që është qëndrimi në elitën e futbollit italian.
E përditshmja italiane ‘Tuttosport’ ka raportuar se Monza e pëlqen shumë lojtarin pasi ai është ndër më të mirët në Serie A për repartin defensivë me tre mbrojtës.
Dy klubet kanëmarrëdhënie të shkëlqyera dhe ky huazim i shqiptarit mund të bëhet konkret në janar, ku Gjimshitit i garantohen minutat e plota.
Në këtë sezon mbrojtësi shtatlartë ka luajtur vetëm 5 takime me një total prej 342 minutash, ndërkohë me Kombëtaren e Shqipërisë ka luajtur për herë të fundit në qershor, në sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit. /Telegrafi/