Telegrafi

Monchi: Nëse do të anulohej edhe goli ‘i dytë’ i De Jong, do ta kisha nxjerrë ekipin nga fusha

Drejtori sportiv i Sevillas, Monchi (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

Drejtori sportiv i Sevillas, Monchi, ka shprehur pakënaqësinë e tij për anulimin e golit të Luuk de Jong në pjesën e parë të ndeshjes kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu.

Andaluzianët kaluan në epërsi me një gol me kokë nga holandezi, mirëpo pas konsultimit të sistemit VAR, gjyqtari e anuloi golin me pretendimin se paraprakisht pati ndërhyrje të palejuar nga Nemanja Gudelj në Eder Militaon.

“Të gjithë e panë aksionin… Refuzoj ta analizoj ndeshjen taktikisht ose teknikisht, sepse ky moment është shumë vendimtar dhe është absurde ta analizosh ndeshjen nga kjo pikë e tutje”, kishte deklaruar Monchi për Movistar.

Në pjesën e dytë, De Jong shënoi sërish dhe ky gol u pranua, mirëpo Reali u ankua për dyshimin se Munir El Haddadi e kishte prekur topin me dorë në ndërtimin e aksionit.

Lexo po ashtu Zidane thotë se në rastin e golit të pranuar të De Jong pati prekje me dorë, por gjyqtari vendosi në favor të Sevillas

“Po ta kishin anuluar atë gol, do të zbrisja në fushë dhe do ta nxirrja ekipin jashtë”, është shprehur drejtori i Sevillas. /Telegrafi/