Telegrafi

Momenti kur shpëtohen udhëtarët nga vetura e ngelur në ujë në Skenderaj

Qyteti i Skenderajt sot është përmbytur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Kjo ka bërë që rrugët e qytetit të shndërrohen në lumenj, kurse automjetet të ngelin në ujë.

Në një video,  që i kanë dërguar qytetarët në redaksinë e Telegrafit, shihen momentet kur një automjet me udhëtarë ka ngelur në rrugën që i ngjanë lumit.

Në ndihmë qytetarëve të ngelur në veturë u vjen një qytetar me një automjet tjetër. Qytetarët hipin mbi kulmin e automjetit për t’u larguar nga rruga e përmbytur me ujë.

Komuna e Skenderajt pas vërshimeve

Në video shihen edhe pamje të tjera nga qyteti tërësisht i mbuluar nga uji.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot, si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar me intensitet të lartë, sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.

Përveç Skenderajt, si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, sot janë vërshuar edhe vendbanime të Pejës, Mitrovicës, Vishtrrisë, Junikut, Deçanit, Klinës, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. /Telegrafi/