Telegrafi

Momenti kur gjeneralët rusë njoftuan tërheqjen e trupave nga Kherson

Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal që ka pushtuar që nga fillimi i pushtimit në shkurt.

Dhe duke pasur parasysh faktin se Rusia kishte shpallur aneksimin e Khersonit së bashku me tre rajone të tjera vetëm në fund të shtatorit, pranimi se po tërheq trupat ishte ndër momentet më të shquara të këtij konflikti, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Siç edhe është njoftuar më herët, ishte komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, ai që tha se nuk ishte më e mundur të vazhdohej furnizimi i qytetit.

Sipas njoftimit të mëhershëm, tërheqja do të thotë se forcat ruse do të tërhiqen tërësisht nga bregu perëndimor i lumit Dnipro.

Dhe siç vlerësonte BBC, kjo është një goditje e rëndësishme pasi Rusia përballet me një kundërofensivë të Ukrainës.

“Në këto rrethana, opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë një linje barriere përgjatë lumit Dnipro”, citohet të ketë thënë gjenerali Surovikin në një takim të udhëheqësve të lartë ushtarakë.

Ndërkohë janë publikuar pamjet kur Sergei Surovikin jep një lajm që përfaqëson një pengesë të madhe për Moskën dhe një poshtërim të madh për Vladimir Putin.

Madje, siç sugjerohet nga Diana Magnay e Sky News, zhvillimi nuk ka gjasa të shkojë mirë me presidentin – i cili besohet nga zyrtarët amerikanë se ka refuzuar kërkesat për një tërheqje nga Kherson më pak se gjashtë javë më parë.

Dhe çdo tension i dukshëm në këtë shkëmbim deklaratash mes Sergei Surovikin dhe ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu është më se i kuptueshëm në këtë kontekst. /Telegrafi/