Site icon Telegrafi

Momentet më të rënda që i kaloi gjatë trajtimit të kancerit të gjirit, Arnisa Osmani tregon se çfarë i dha forcë të përballet stoikisht me sëmundjen

Përballja me kancerin e gjirit për Arnisa Osmanin nuk ka qenë aspak e lehtë, por përkundër sfidave ajo stoikisht ka luftuar me sëmundjen.

Osmani në Podcastin “Shëndeti në rend” të parë në Telegrafi.com ka treguar dy momentet më rënda që ka kaluar gjatë periudhës së trajtimit, gjersa po ashtu ka vënë në pah momentin që i ka dhënë forcë për të vazhduar fuqishëm në përballjen me sëmundjen.

“…Largimi i gjirit, mjeku më kanë thënë mund të pastrohesh të nesërmen. Mua mu ka deshtë gjysmë orë të sillem në shtëpi që të hyjë në banjo dhe ta shoh veten në pasqyrë. Ajo ka qenë jo diçka e lehtë…”, tha Osmani.

Ajo tha tutje se një mjek nuk duhet të jetë vetëm mjek, por edhe psikolog sepse sipas saj ka shumë rëndësi si i qaset pacientit, si i jepet lajmi.

Osmani si periudhë jo të lehtë e ka përmendur edhe rënien e flokëve.

“Është edhe rënia e flokëve…Kur hyra mu pastru flokët më mbeten në dorë…”, tha ajo.

Osmani tutje shtoi se në ditën kur i kanë rënë flokët, mbesa e saj kishte ditëlindjen. Ajo tha se përkundër që fillimisht nuk donte të shkonte në organizmin për ditëlindjen e mbesës, u bë gati dhe shkoi.

Sipas saj, ai ishte momenti që i dha forcë të vazhdonte tutje.

“Çka do që del përpara ke me luftu dhe në fund ke me fitu ‘lidha inat me veten’, e inat me askënd nuk mbajë, por mbajta me veten dhe më dha forcë”, tha ajo.

Osmani gjatë kësaj bisede në Podcast po ashtu kërkoi që shëndeti të jetë prioritet dhe sipas saj kur gjendet kohë për grim, mund të gjendet kohë edhe për kontrolle shëndetësore, e që janë shumë të rëndësishme për diagnostifikim të hershëm të sëmundjes. /Telegrafi/

 

Exit mobile version