Site icon Telegrafi

Molliqaj i përgjigjet VV-së: Populistët që sot flasin për parime e pranuan Haradinajn për kryeministër, tani i gjunjëzohen Mustafës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes PSD-së dhe AAK-së.

Molliqaj në një postim në llogarinë e tij ën Facebook ka shkruar se ata që sot flasin për kundër koalicionit me AAK-në, janë po të njëjtit që në vitin 2015 u futën në koalicionin VLAN dhe e pranuan Haradinajn si kandidat për kryeministër.

Sipas tij dallimi është Vetëvendosje po i gjunjëzohet Isa Mustafës për koalicion siç shkruan Molliqaj për interesa personale.

Postimi i plotë:

VV-ja, nga frika ndaj fitores sonë, xhelozia që asnjë parti e madhe nuk i merr në koalicion, dhe urrejta patologjike ndaj PSD-së, i paska aktivizuar strukturat linquese dhe profilet e rrejshme në Facebook për të na sulmuar.

Populistët që sot flasin për ”parime” kundër koalicionit me AAK-në, janë po të njëjtit që në vitin 2015 u futën në koalicionin VLAN dhe e pranuan Haradinajn si kandidat për kryeministër.

Por tash janë kundër Haradinajt. Jo për ndonjë arsye parimore, por për shkak se ne së bashku me Haradinajn, e krijuam Ushtrinë, i ndalëm pazaret e Thaçit me territorin e Kosovës dhe e defaktorizuam Listën Serbe. Derisa ata merreshin vetëm me llafe e shpifje.

E këto veprime, i kanë lënë populistët pa kauzë. Ata nuk e dijnë për cka do të kërkojnë votë, meqenëse kartën nacionaliste nuk ua beson më askush. Qytetarët e kanë kuptuar që ata kanë vetëm fjalë e asgjë tjetër.

Dallimi është se ata i gjunjëzohen Isa Mustafës për koalicion kryekëput për interesa personale, dhe harruan që ishte pikërisht Isa Mustafa kryeministër në kohën kur vdiq në burg Astrit Dehari e u burgosën aktivistët e tjerë. Ndërsa ne nuk lidhem koalicion me Haradinajn për interesa personale, por për t’i shty përpara politikat tona për shtetndërtimin e Kosovës.

Nuk ju kemi faj ne që janë dhe do të mbesin të vetmuar. Nuk kemi faj ne që humbja e tyre është po aq e sigurt sa edhe fitorja jonë. Nuk mund t’i shërojmë nga xhelozia. Veç mund t’ju themi shihemi pas zgjedhjeve, kur ata do të luftojnë për vendin e tretë, ndërsa ne do të jemi forca e parë ?.

Ndërsa deputetja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj koalicionit PSD-AAK.

Haxhiu në një postim në llogarinë e saj në Facebook ka shkruar se ky koalicion konfirmon se PSD ka qenë vazhdimisht në pushtet dhe se sipas saj i kanë dhënë mbështetje PAN-it sa herë që i janë ligështuar këmbët.

Ndryshe sot kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor PSD-AAK./Telegrafi/

Exit mobile version