Telegrafi

Molliqaj flet për rezultatin e zgjedhjeve: LVV nuk ka pasur defekte të brendshme, humbja ishte e Albinit

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Molliqaj në “Debat Plus” thotë se në këto zgjedhje Vetëvendosje është shpërfytyrua nga elektorati.

Ai thotë se fajet për humbje janë të Albin Kurtit e jo ndonjë strukture në ndonjë qytet.

“Nuk besoj që Vetëvendosje ka defekte të brendshme. LVV në këto zgjedhje është vlerësuar për punën apo mos punën e saj në dy nivele. Pra askush Kurtin nuk e sabotoi. Në këto zgjedhje garoi Albin Kurti pasi në çdo posterë ishte fotografia e Albin Kurtit. Sicili kandidatë thoshte se Albinin e kam mbrapa”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Molliqaj thotë kur Kurti flet për defekte ai ka për qëllim të tregojë që fajin për kanë të tjerët për humbjen.

“Kur fiton partia, meritat i takojnë liderit, kur humb partia, ja u lë strukturave fajet, fillojnë spastrimet. Janë dy lloj spastrime. Kur ka suksese, tendenca është që meritat ekskluzivisht me iu atribuua liderit. Kur humbet kërkohen kokat e atyre që kanë humbur”, tha ai.

Kryetari i PSD-së thotë se LVV në këto zgjedhje ka shfrytëzuar resurset shtetërore më shumë se çdo parti apo qeveri më parë./Telegrafi/