Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka thënë sot se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizje Vetëvendosje (VV), do të kthehen në Kuvend brenda pak ditësh.
Ai në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për rolin e PSD-së në temën e dialogut dhe cili do të jetë qëndrimi i kësaj partie opozitare për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, strategjia e opozitës për bojkot të Kuvendit nuk do të ndikojë në rrëzimin e Qeverisë.
“Unë mendoj se ato do të kthehen në Kuvend javën tjetër, nëse jo javën tjetër, pas dy javësh. Ata do të kthehen, sepse nuk ka asnjë dobi nga ky bojkot. Mendoj se tendenca për seancën e nesërme po bëhet me qëllim për tu kthyer në Kuvend. Synimi që më hi në Parlament përmes deriçkave nuk i kontribuon opozitës në Kosovë”, ka shtuar Molliqaj.
Ai më tutje ka thënë se mund të bëhet lojë fjalësh, mirëpo sipas tij, opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë.
“Nuk rrëzohet Qeveria përmes bojkotit të Parlamentit, mirëpo përmes mocionit të mosbesimit dhe votave. Strategjia për bojkot nuk do të dërgoj në rrëzim të Qeverisë. Për dy muaj mund të duket që PSD është me pushtetin, kur kthehen LDK dhe VV si do të duket gjendja e re”, ka shtuar Molliqaj.
Ai ka thënë se opozita i ka momentalisht i ka vetëm 57 vota nga LDK, VV dhe PSD. Sipas tij, opozitës i duhen edhe 4 vota për rrëzimin e Qeverisë dhe PSD në momentin kur sigurohen këto vota, do të votojë pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Anëtari i Kryesisë i PSD-së ka theksuar se i duket e pakuptueshme se pse partitë më të mëdha opozitare I bojkotojnë seancat, derisa marrin pjesë në punimet e Komisioneve, duke shtuar se është debat shterpë ai se kush po i ndihmon Qeverisë për të qëndruar në pushtet
Molliqaj ka folur edhe lidhur me deklaratat se po ia bën koalicionit qeveritar kuorumin në Kuvend si dhe për shtrirjen e PSD në tërë vendin. /Telegrafi/