Futbollisti i Chelseat, Mason Mount dhe ish-bashkëlojtari i tij, Billy Gilmour, janë përndjekur nga një modele e etiketuar si ‘Devil Baby’.
Orla Sloan e kishte ‘bombarduar’ dyshen me telefonata dhe mesazhe në platforma të ndryshme të mediave sociale – është thënë në një seancë gjyqësore.
21-vjeçarja, e cila është një influencuese në rrjetet sociale, si edhe një modele, është shpallur fajtore për një sërë akuzash.
Akuzat më serioze përfshinin Gilmour, pasi ajo u akuzua për ndjekje që përfshinte frikën e dhunës, alarmin ose shqetësimin serioz. Ajo u akuzua gjithashtu për ndjekjen e mesfushorit anglez, Mount dhe një akuzë e tretë u ngrit për ngacmimin e kolegut të tij në Chelsea, Ben Chilwell.
Prokurori Jason Seetal i tha gjykatës në Westminster se Sloan u takua me të tre lojtarët në një festë në nëntor të vitit 2020, kur ata të gjithë po luanin për Chelsean.
Siç raporton Evening Standard, Sloan dhe Mount patën një marrëdhënie të shkurtër intime përpara se mesfushori t’i ndërpresë kontaktet, duke e bërë modelen të krijojë deri në 21 numra të ndryshëm telefoni për të vazhduar shqetësimin ndaj tij.
Pikërisht në këtë pikë u bë e njohur me pseudonimin ‘Devil Baby’, pasi i referohej vetes me këtë emër në disa prej kërcënimeve ndaj futbollistëve, derisa akuzat filloi t’i bënte publike edhe në rrjetet sociale.
Po ashtu, u mësua se edhe Gilmour kishte filluar një kontakt të shkurtër me Sloan përmes mesazheve pas asaj feste, përpara se të përpiqej t’i ndërpresë kontaktet. Megjithatë, modelja tentoi ta përndiqte atë gati dy vjet më vonë, në verën e vitit 2022, duke sajuar pretendime se ajo kishte mbetur shtatzënë me fëmijën e tij – pavarësisht se ata kurrë nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale.
21-vjeçari zbuloi se frika për shkatërrimin e marrëdhënieve të tij personale kishte ndikuar në formën e tij të lojës për Brightonin në fillim të këtij sezoni.
Sloan është liruar me kusht nga gjyqtarja e qarkut Neeta Minhas deri në një seancë dëgjimore, e cila është caktuar për 20 qershor. /Telegrafi/