Telegrafi

Model “special” për 100-vjetorin e lindjes së Ferruccio Lamborghinit

Lamborghini ka treguar planet se vitin e ardhshëm do të shpalosë një model “special” për të festuar 100-vjetorin e lindjes së themeluesit të kompanisë.

Ferruccio Lamborghini u lind më 28 prill 1916 dhe tani kompania ka zyrtarizuar se është duke punuar në një model të veçantë për hir të 100-vjetorit të lindjes së tij.

Njoftimi vjen nga Maurizio Reggiani, njeriu kryesor për hulumtime dhe zhvillim në kompani që ka thënë se modeli i ri “do të befasojë të gjithë dhe do të përshtatet me strategjinë e kompanisë për çmim të lart e model të limituar”.

Fillimisht besohej se modeli special do të bazohej në Aventador, ndërsa tani kanë nisur spekulimet se ai mund t’i ngjajë modelit Huracan. Duket se Lambo ka plane të përdorë motorin V12 të Aventadorit në trup të Huracanit. Ky motor ka 770 kuajfuqi dhe përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra në orë e arrin për vetëm 2.8 sekonda. Shpejtësia maksimale e tij është 346 km/orë.

Sipas “Autocar”, modeli do të quhet Centenario LP 770-4 dhe do të vijë vetëm në 20 njësi. Çmimi i tij pritet të jetë rreth 1 milion e 750 mijë euro.