Telegrafi

Model 3, vetura e re elektrike nga Tesla Motors

Automjeti i ri elektrik nga Tesla Motors i gjeneratës së ardhshme do të quhet Model 3 dhe zyrtarisht do të prezantohet në vitin 2016, ndërsa shitja do të fillojë gjatë vitit 2017.

Vetura e re do të jetë konkurrent i BMW Series 3, kanë thënë përfaqësues të kompanisë Tesla.

Modeli i ri fillimisht ishte planifikuar të quhej Model E, mirëpo pasi Fordi e kishte ‘zënë’ këtë emër, atëherë Tesla e ndryshoi në mënyrë që të shmangte ndonjë padi gjyqësore.

Model 3 do të jetë më i vogël se Model S dhe do të kushtojë 35.000 dollarë, si rezultat i përdorimit të baterive më të vogla.

Automjeti, ngjashëm sikur Model S, do të karakterizohet me performanca të shkëlqyera dhe do të mund të kalojë rreth 320 kilometra me një mbushje.

Edhe pse gazetat automobilistike kanë publikuar disa fotografi, nga kompania Tesla thonë se dukja e vërtetë e modelit të ri nuk është ashtu dhe ende mbetet e panjohur për publikun. /Telegrafi/