Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar memorandume në bazë të kategorizimit për t’i financuar sportistët e Federatës së Xhudos dhe trajnerin Driton Kuka.
Ministri Gashi tha se arritja e një memorandumi të tillë bashkëpunimi, për qeverinë dhe shtetin është më e pakta që mund të bëjnë për ata, siç i cilësoi ministri që po e bëjnë krenar çdo vikend gjithë kombin shqiptar.
“Është obligim i yni si shtet për t’i qëndruar pranë këtij ekipi të mrekullueshëm”, ka thënë fillimisht ministri Gashi.
Duke përmendur sukseset e fundit të Majlinda Kelmendit ai tha se kjo po i bën krenar gjithë qytetarët dhe për këtë duhet mbështetur në mënyrë financiare atë dhe sportistët e tjerë.
Gashi i bëri thirrje kryetarit të komunës së Pejës që të paraqes lokacionin për ndërtimin e palestrës së xhudos.
Ndërsa, trajneri Driton Kuka kishte lëvdata për ministrin, që sipas tij me ardhjen e Gashit në krye të MKRS-së, sporti në përgjithësi ka ecur shumë përpara.
“Sporti para ardhjes suaj ka qenë duke ecur me hapa të ngadaltë, kurse me ardhjen e juaj ka shkuar me hapa më të shpejt, sidomos rreth veprimeve të juaja të fundit rreth kategorizimit janë diçka të jashtëzakonshme”, ka thënë Kuka.
Trajneri Kuka, ndër të tjera, bëri të ditur se po bëhen gati për Lojërat Olimpike që do të mbahen këtë vit.
Kurse, xhudistja, Majlinda Kelmendi tha se me anë të këtij memorandumi do të ndihen më të sigurt, pasi do të kenë mbështetjen e shtetit.