Telegrafi

Mitchell: Rusia do të kompensojë humbjet në Ukrainë duke shkaktuar jostabilitet në Ballkan

Ish-ndihmës sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka folur për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë është e qartë për të gjithë ne, se është eventi gjeopolitik më i rëndësishëm prej Luftës së Ftohtë.

Mitchell ka shtuar se është e mundur që Vladimir Putin të përdorë armë nukleare.

“Është e mundur që Putini të përdorë armë nukleare, çdo lloj arme duhet të jetë e ndërlidhur me ndonjë politikë të mirëfilltë. Të dy palët në konflikt duhet të fitojnë më shumë nga bisedimet sesa nga luftimet. Ukraina po fiton në teren në luftime, e nga aspekti ushtarak rusët janë duke dështuar”, tha Mitchell.

Ai theksoi se edhe nëse do të kishte ndërprerje të luftës nesër, nuk mendoj se do të kishim një marrëveshje të menjëhershme për paqe.

Duke folur për ndikimin rus në Ballkan, Mitchell tha se Rusia gjithmonë ka provuar të shkaktoj trazira në regjion.

“Kur Rusia humb një luftë përcjellët nga dy gjëra: ndryshime në Rusi dhe në regjion. Roli rus në Ballkanin Perëndimor gjithmonë ka mbetur në kapacitetin për të shkaktuar trazira. Rusia do të kompensojë humbjet e tyre në Ukrainë duke shkaktuar jostabilitet në Ballkan”, tha Mitchell. /Telegrafi/