Kryeministri Albin Kurti, është deklaruar për miratimin e Rregullores së re të Punës së Kuvendit të Kosovës, e cila u votua me datën 28 korrik.
Edhe pse janë bërë gati dy javë nga miratimi, Kurti tek tani foli për votimin dhe ngecjet e kësaj rregulloreje në të kaluarën.
Kryeministri tha se Kuvendi i Kosovës kaloi testin e demokracisë, pas 10 vitesh përpjekje.
“Miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë. Procesi i rishikimit të Rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur”, thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë përmendi sfidat e miratimit të rregullores, për shkak se kërkoheshin 2/3 të votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një koncensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit, Rregullorja e re adreson sfidat kryesore, të cilat e kanë përcjellë punën e Kuvendit që nga viti 2010.
“Dy kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë penguar përfundimin e këtij procesi më parë: jostabiliteti institucional dhe mungesa e vullnetit politik të subjekteve politike në Kuvend”, ka thënë ai.
Në fund, Kurti tha se të gjithë duhet të angazhohen që niveli i punës dhe llogaridhënies së Kuvendit të Kosovës të bëhet shembull për përgjegjshmëri.
“Është përkushtim i yni politik që në Kuvendin e Republikës, publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ndryshe, deri me tani Kuvendi i Kosovës ka organizuar punën e tij me Rregulloren e miratuar me 29 prill të vitit 2010.
Ky dokument përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve./Telegrafi/