Shoqata “Miqtë e Amerikës”, e cila që 20 vite merret me aktivitete për raportet shqiptaro-amerikane, nuk është përfshirë në aktivitetet të cilat përkojnë me 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe vizitën e ish presidentit amerikan, Bill Clinton dhe ish sekretares së shtetit, Medeline Albrgiht. Madje nga kjo shoqatë janë ankuar për mosmirëmbajtje të bustit të Bill Clinton në Prishtinë.
“Miqtë e Amerikës”, tash e sa vite merren me aktivitetet të cilat bëhen për të nderuar dhe respektuar kontributin që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Fokus i tyre është të ruhen raportet me amerikanët, por shoqata “Miqtë e Amerikës”, nuk është përfshirë në aktivitetet që do të shënohen me rastin e vizitës së ish -presidentit amerikan, Bill Clinton dhe ish sekretares së shtetit, Medeline Albrgiht.
Madje nga kjo shoqatë apelojnë që busti i ish presidentit, Bill Clinton, në kryeqytet, të mirëmbahet më shumë.
Drejtori i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, apeloi tek Komuna e Prishtinës, që të pastrojnë bustin e Clinton edhe gjatë ditëve të tjera, jo vetëm në vizitat e tij në Kosovë.
“Është kënaqësi qe sot po e shohim sheshin e presidentit Clinton të rregulluar edhe pse shumë shpresoj që ketë rregullim do ta mbajnë edhe do ta mirëmbajnë Komuna sepse deri me tani nuk e ka bërë këtë gjë. Apeloj që ky rregullim, kjo mirëmbajtje të vazhdojë edhe ditëve, muajve dhe viteve te tjera e jo vetëm kur vjen presidenti Clinton”, tha për RTV Dukagjinin, Agim Rexhepi.
Rexhepi shtoi se vizita e dy ish krerëve të lartë të shtetit amerikan, është dëshmi se ata janë miq të përhershëm të Kosovës.
“Vizita e tij është shumë domethënëse sepse në këtë mënyrë po i respekton institucionet e Kosovës, popullin e Kosovës, vlerat e realizuara dhe atë çka është arritur pas luftës pavarësisht të metave në këtë periudhë 20 vjeçare. Duhet krenohemi të gjithë shqiptarët sepse një privilegj të tillë nuk e kanë shumë popuj të botës edhe pse janë shumë më në numër se ne”, shtoi më tej Agim Rexhepi.
Rexhepi tha se shoqata e tyre, janë në kontakt të përhershëm më zyrën e ish-presidentit Bill Clinton./RTV Dukagjini/Telegrafi/