Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot pas mbledhjes së Qeverisë foli për masat e reciprocitetit me Serbinë, duke thënë se Kosova po vepron si çdo vend normal.
Haxhiu tha më tej se pozicioni i Kosovës në negociatat me Serbinë për herë të parë është i dinjitetshëm, ndërsa siç tha ajo qasja që kanë pasur qeveritë e kaluara është problem sepse i kanë mësuar keq, duke i thënë po për çfarëdo që kanë thënë.
“Ne si qeveri, institucione po i vuajmë pasojat e qeverive të cilat i kanë bërë më herët. Për herë të parë Kosova ka një pozicion jashtëzakonisht të fuqishëm në këtë drejtim.
Për herë të parë pozicioni i Kosovës në negociata me Serbinë është i dinjitetshëm sepse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk ka lejuar referendumin sepse është cenim i sovranitetit dhe integritet territorial.
Dhe po ashtu tani jemi duke i vendosur masat e reciprocitetit që i bën secili vend normal”, ka thënë Haxhiu, raporton Telegrafi.
Ministrja e Drejtësisë më tej theksoi se fatkeqësisht jo vetëm marrëveshjet që i kanë trashëguar por edhe qasja e Qeverive të kaluara në dialog është problem.
“…Qasja që kanë pasur qeveritë e kaluara është problem edhe për ne sepse i kanë mësuar keq, çfarëdo që kanë thënë Serbia, Beogradi kanë thënë po…”, u shpreh ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/