Telegrafi

Ministrja e Jashtme gjermane: Rusia nuk po mendon diçka tjetër përveç nënshtrimit të plotë të Ukrainës

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kritikoi ashpër thirrjen e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov për rrëzimin e qeverisë në Ukrainë.

“Përbuzja e fortë e udhëheqjes ruse për angazhimin demokratik të Ukrainës është treguar përsëri”, tha Baerbock.

“Askush nuk mund të pretendojë më se Rusia po mendon për diçka tjetër përveç nënshtrimit të plotë të Ukrainës dhe popullit të saj”, shtoi ajo.

Të dielën në Kajro, Lavrov tha për herë të parë fare hapur se Rusia synon të rrëzojë qeverinë ukrainase, raporton cnn.

“Në çdo rast, ne do të ndihmojmë popullin ukrainas të heqë qafe një regjim absolutisht antipopullor dhe antihistorik”, tha Lavrov, duke shtuar se populli rus dhe ukrainas do të jetojnë së bashku.

Lexo po ashtu Ministrja e Jashtme gjermane e sheh të pakuptimtë fotografimin e Erdoganit me Putinin

Diplomatja gjermane u takua me kolegen e saj, Jana Lipavski në Pragë. Ata diskutuan planet për një shkëmbim gjermano-çek për dërgimin e armëve në Ukrainë, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër zjarreve në pyjet në Parkun Kombëtar të Zvicrës Çeke.

Baerbock dhe Lipavski vizituan gjithashtu memorialin në qytetin e Lidice, ku ushtria naziste gjermane qëlloi rreth 200 banorë gjatë Luftës së Dytë Botërore si hakmarrje. /Telegrafi/