Telegrafi

Ministrja e Jashtme gjermane në Kiev për një vizitë të paralajmëruar

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka arritur në kryeqytetin e Ukrainës për një vizitë të paparalajmëruar më parë.

Pas mbërritjes së saj, Baerbock nënvizoi nevojën e Ukrainës për mbrojtje ajrore për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse, transmeton Telegrafi.

“Terrori rus nga raketat, alarmet e vazhdueshme ajrore, ndërprerjet e përhershme të energjisë, pothuajse asnjë pikë ujë: situata në Ukrainë është përshkallëzuar sërish në mënyrë dramatike me sulmet masive ajrore ruse në infrastrukturën civile dhe ofensivën brutale ruse në zonën e Kharkivit”, tha ministrja gjermane.

“Kjo është arsyeja pse, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, kam nisur një iniciativë globale për më shumë mbrojtje ajrore. Pothuajse një miliard euro janë mbledhur tani për të ofruar mbështetje shtesë për forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, dhe ne po punojmë intensivisht për të siguruar që të ketë edhe më shumë”, shtoi Baerbock.

Lexo po ashtu Ukrainasit pretendojnë se rusët kanë humbur 1,380 ushtarë dhe 15 tanke në 24 orët e fundit

Berlini nisi iniciativën në prill në mes të nevojës gjithnjë e më të madhe të Kievit për mbrojtje ajrore, duke u përballur me sulme të rënda ajrore ruse kundër zonave të banueshme me civilë dhe rrjetit të energjisë.

Një numër vendesh e kanë mbështetur tashmë nismën që atëherë, duke përfshirë Belgjikën, Danimarkën, Kanadanë, Holandën, Norvegjinë dhe të tjerë.

Gjermania është zotuar gjithashtu të dorëzojë sistemin e saj të tretë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë.

Gazeta gjermane General-Anzeiger shkroi se Baerbock po planifikonte të vizitonte Kharkivin, por e anuloi udhëtimin për arsye sigurie.

Forcat ruse filluan një ofensivë të re në rajonin e Kharkivit më 10 maj, shoqëruar me sulme të intensifikuara kundër qyteteve dhe fshatrave rajonale. /Telegrafi/