Telegrafi

Ministrja Bajrami paraqet arsyetimet për shkarkimin e ish-drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezajt

Foto: Arkiv

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka thënë se drejtori i shkarkuar i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka bërë shumë shkelje.

Bajrami ka përmendur disa nga shkeljet e bëra.

“Drejtori i përgjithshëm ka hartuar dhe nënshkruar rregulloren e brendshme të Administratës Tatimore në kundërshtim me Ligjin për Administratës Shtetërorë. Shkelja është konfirmuar dhe kam prova. Drejtori nuk mundet të hartoj dhe ta nënshkruaj një rregullore që Ministria e Administratës Publike ka dhënë në vitin 2016, sepse përgjigjja ka qenë në vitin 2019 dhe i thotë drejtorit që, ju nuk keni respektuar procedurat”, tha Bajrami përcjell Telegrafi.

Ajo ka treguar se, Murtezaj ka shpallur kundërligjshëm konkurs të brendshëm për tri pozita.

“Unë kam biseduar me ish-drejtorin për sa i përket shqetësimeve, ai më është përgjigjur se ka vepruar në harmoni me ligjin dhe unë i kam konfirmuar se ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ka shpallur kundërligjshëm konkurs të brendshëm për tri pozita. Shkelja është evidentuar edhe nga Ministria e Administratës Publike. Po ashtu, nuk ka lejuar të zhvillohen procedurat e konkursit”, ka përfunduar ajo.

Mº 16 tetor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte marr vendim që ta shkarkoj Murtezajn dhe ta emëroj Ekrem Hysenajn në pozitën e ushtruesit të detyrës. /Telegrafi/