Më datën 16.11.2021, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në konferencë për media ka prezantuar rezultatet e Raportit të Transparency International në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, me titull “Progresi i (pa)arritur – Ekstrakti për Kosovën”, ndërsa lidhur me këtë raport ka reaguar sot Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes thekson se nga përmbajtja e raportit përkatës, shihet se raporti është i publikuar në nëntor 2020, pra përmban rezultatet e burimeve të hulumtuara të periudhës 2018-2020.
“Në konferencë prezantuesja nuk theksoi periudhën kohore që përfshinë raporti përkatës (https://www.youtube.com/results…) për çka lë të nënkuptohet se përfshinë edhe periudhën e deritashme, pra edhe vitin 2021.
Andaj, si institucion reagojmë ndaj kësaj qasje që lë hapësirë të paragjykimit nga ana e publikut edhe për performancën e Kabinetit të ri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pa kurrfarë baze, lëndon seriozisht integritetin tonë institucional para qytetarëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Duke pasur parasysh mundësinë e natyrshme të lëshimit të paqëllimshëm, ne kemi kërkuar me shkrim nga autoritetet e KDI-së, sqarimin për publikun dhe mediat lidhur me datën e publikimit dhe periudhën që përfshin raporti përkatës.
Meqë nga ana e KDI-së mungoi një gatishmëri e tillë, Ministria e Mbrojtjes, këtë qasje nga KDI e vlerëson si qasje e qëllimshme dhe tendencioze, si dhe do të inicioj përgjegjësi ligjore institucionale”, thuhet më tej.
Në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes më tej thuhet se një ndër qëllimet kryesore strategjike të Ministrit Mehaj është fuqizimi i qeverisjes së mirë, integritetit dhe kredibilitetit institucional me forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
“Gjithashtu një ndër parimet kryesore të punës në Ministrinë e Mbrojtjes, që është top-prioritet nga Kabineti Mehaj është forcimi i mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies institucionale para shoqërisë civile, OJQ-ve dhe mediave, dhe mbi të gjitha para qytetarëve të vendit, krahas mekanizmave e autoriteteve zyrtare vendore, partnere e ndërkombëtare.
Prandaj, ne jemi të hapur maksimalisht në çdo kohë dhe rrethanë, për secilin çështje nga ana e palëve të interesuara, por duke mos heshtur ndaj të pavërtetave që dëmtojnë imazhin dhe kredibilitetin tonë para qytetarëve dhe partnerëve tanë”, thuhet më tej. /Telegrafi/