Telegrafi

Ministria e Jashtme reagon për situatën në Bërnjak: Po ndodhin akte fashizmi në sy të policisë serbe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës ka dënuar  fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë.

Sipas MPJD-së kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë.

“Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akti veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi”, thuhet në reagimin e  MPJD-së.

Për shkak të kësaj gjendjeje të papranueshme, MPJD thotë se pika kufitare e Bërnjakut do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.

MPJD i bënë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare./Telegrafi/