Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate ka thënë se revolta qytetare për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit është e drejtë, dhe se vrasja e saj është pasojë e papërgjegjësisë institucionale.
MD-ja, ka bërë të ditur se në marshin protestues të organizuar sot nga organizata jo-qeveritare ka qenë e pranishme edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në komunikatë thuhet se, “Jemi bashkë në betejën për drejtësi e barazi”
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e pranishme sot fizikisht në protestën e organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve. Vrasja e Marigonës na e shpërfaqë papërgjegjësinë institucionale përball kryerësve të veprave penale. Kjo vrasje është alarm për shoqërinë por edhe për secilin institucion, prandaj do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se, “Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen. Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët”.
“Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale është njëra nga prioritetet e Ministrisë se Drejtësisë. Ne do të angazhohemi në parandalimin e rasteve të çfarëdo lloji të dhunës. Vetëm me një gjyqësor të drejtë ku nuk lirohen të fuqishmit, por mbrohen viktimat, ne do të arrijmë një shoqëri të sigurtë e të barabartë”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se, “Nuk duhet të kemi më thirrje të humbura, raportime pa veprim, veprime me vonesa, vonesa të kushtueshme me jetë njerëzish”.
“Vrasja e Marigonës është pasojë e papërgjegjësisë institucionale prandaj revolta qytetare është e drejtë. Transformimi i organeve të drejtësisë me qëllim të vënies në nivel të përgjegjësisë dhe profesionalizmit është detyrë e domosdoshme. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Ky është përkushtimi ynë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/