Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ofrimin e provave në katër elemente në të cilat ka konstatuar se është bërë shkelje kushtetuese me vendimin e MASHTI-t për organizim të mësimit alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.
Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së këtij dikasteri, Arbërie Nagavcit, ka thënë se në shkresat e lëndës të dorëzuar nga Gjykata nuk ka asnjë provë që dëshmon se MASHTI ka realizuar një nga këto veprime.
“Bazuar në Ligjin Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike të datës 04.07.2019, sot në mëngjes kam parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për qasje në:
Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar;
Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka angazhuar mësimdhënës shtesë për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar;
Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lëshuar certifikata për nxënësit pas përfundimit të procesit të mësimor;
Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar”, ka shkruar Dervishaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
Mes tjerash, ai ka njoftuar se nga Aktgjykimi kanë kuptuat se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë.
“Prandaj, kërkesa ka qëllim t’i sigurojë ato prova. Afati është 7 ditë për kthimin të një përgjigje në kërkesën e parashtruar”, ka përfunduar Dervishaj.
Kujtojmë që, në vendimin e Gjykatës thuhet se MASHTI-i ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.
Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet të ndërmarrin veprime të harmonizuara dhe të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla./Telegrafi/